Kinema Jusuf Gërvalla

Historiku:

Kinemaja “Jusuf Gërvalla” në të kaluarën e njohur si Kino Rad (Kinemaja e Punëtorëve – nga gjuha serbe) u ndërtua më 1955 me para të sindikatave të punëtorëve. Kinemaja ishte ndërrmarrje për shfaqjen e filmave nën atë që quhej atëbotë Bashkësia Vetqeverisëse e Interesit për Kulturën (BVIK).

Ndërtesa e kinemasë përfshinë një sipërfaqe prej 731 m2 dhe ndahet në disa hapësira duke përfshirë: sallën kryesore, dhomën e projeksionimit, ballkoni në katin e dytë, disa hapësira të zyreve, hollet dhe tualetet. Kinemaja të ndërlidhur e ka edhe godinën e quajtur Aneks, ku në të kaluarën ka shërbyer si vend pune i sindikalistëve, nga ku besohet se edhe janë gjeneruar të mirat materiale për ndërtimin e kinemasë.

Kinemaja “Jusuf Gërvalla” (ish Kino Radi) u ndërtua me qëllim që të ofroj një hapësirë kulturore në qytetin e Pejës, ndërsa përgjatë viteve 1955-1998 shërbeu si pikë qëndrore e aktiviteteve të përbashkëta kulturore për banorët e komunës së Pejës, ku përfshiheshin shfaqja e filmave më të rinj, diskutime publike rreth filmave të ndryshëm, koncertet muzikore, shfaqjet teatrale dhe programe për fëmijë, kështu duke u bërë një prej institucioneve kulturore më të frekuentuara asokohe.

Në vitin 2002, Kuvendi Komunal i Pejës e kishte kaluar një rezolutë për t’ia vënë kinemasë emrin e veprimtarit, shkrimtarit dhe muzikantit shqiptar, Jusuf Gërvalla. Më 2016, me anë të një vendimi komunal, kinemaja me të gjitha asetet e saj iu dha në shfrytëzim organizatës jo qeveritare Anibar e cila që nga viti 2010 merret me organizimin e përvjetshëm të festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar.

Në vitin 2016, Agjensioni Kosovar i Privatizimit (AKP) e vendos objektin dhe të gjitha asetet e kinemasë “Jusuf Gërvalla” në listën e objekteve për privatizim. Nisja e kundërshtimit të këtij prcoesi nga Anibari si dhe bashkëpunimi me komunitetin lokal e me Rrjetin e Organizatave të Kulturës (RrOK) në Pejë, nga ku ishin bashkuar më pas edhe 80 organizata jo qeveritare tjera gjithandej Kosovës, kishin bërë që ky proces të suspendohet.

Në peticionin kundër privatizimit të kinemasë për një periudhë të shkurtër ishte arritur numri i mbi 6 mijë nënshkrimeve prej qytetarëve të Pejës.. Gatishmëria qytetare, përveç se e ka shpëtuar kinemanë nga privatizimi, ka bërë  që ky objekti të futet formalisht në listën e përkohëshme të objekteve të mbrojtura të trashëgëmisë kulturore. Sot kinemaja “Jusuf Gërvalla” është shndërruar në qendër socio-kulturore dhe ka programe aktive javore.

INFORMATAT

Hasan Prishtina 73; 30 000 Pejë Pejë, Kosovë https://www.kinemajusufgervalla.org

VEPRIMTARIA

Hapësirë kulturore; Kinema

PERSONAT PËRGJEGJËS

Arba Hatashi Vullnet Sanaja Valton Marku