Në brendësi të qendrave shoqërore (kulturore)
20 December 2019 - 23:51

Në brendësi të qendrave shoqërore (kulturore)

Në Exit Bar - për shkak të renovimit të Kinemasë “Jusuf Gërvalla” - është mbajtur formati i diskutimeve në kinema me titull “Në brendësi të qendrave shoqërore (kulturore)”, ku filozofi Dritan Dragusha ishte i ftuar si folës i radhës.

Familja, shkolla dhe shteti, janë shtyllat e formimit, respektivisht të mirëmbajtjes së një mendësie të caktuar shoqërore. Qendra fillestare e edukimit shoqëror vlerësohet se është familja. Tek ne publikja dhe shoqërorja (kulturorja) perceptohen si të huaja ndërsa një prej faktorëve që ka ndikuar në brumosjen e kësaj mendësie e cila besohet se ekziston tek ne, është edhe raporti i shoqërisë sonë me shtetin; shteti perceptohej si i huaj përgjatë sundimit të Slobodan Milošević-it, ndërsa sot Republika e Kosovës vuan si pasojë e këtij perceptimi.

Kjo trajektore sipas folësit të radhës në serinë e diskutimeve në kinema, Dritan Dragushës, mundëson drejtimin e gishtit nga përgjegjësit kryesor të asaj se si aktualisht perceptohet publikja dhe shoqërorja (kulturorja). Qendrat shoqërore dhe kulturore në vend, për shkak të kësaj mendësie të trashëguar e më pas të mirëmbajtur, gëzojne edhe epitete pezhorative si, “Domi i pleqve” apo “Vendi i bohemëve”. Shumica e qendrave shoqërore dhe kulturore, nga ky diskutim vlerësohet se nuk kanë arritur ende të transmetojnë karakterin e tyre fillestar, që në masë të madhe është frymëzimi i shoqërisë dhe krijimi alternativ i artit, të dy mekanizma këto që i shërbejnë ndryshimit pozitiv.

Disa organizime shoqërore e kulturore përgjatë historisë së re e të vjetër kanë pasur karakter subverziv, siç janë Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës përgjatë viteve 80-90 dhe Kosova Action Network përgjatë fillimvitit 2000. Arti dhe aktivitetet shoqërore që burojnë brenda qendrave të ndryshme janë antidota më e mirë e mendësisë dhe gjendjes aktuale që na përcjellë në vend. Përkundër vështirësive dhe përvojës relativisht të re, qendrat shoqërore dhe kulturore janë më se të domosdoshme.

Kjo seri e diskutimeve është mundësuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, në kuadër të projektit "Hapësirat Kulturore të Kosovës" të implementuar nga Anibar, Lumbardhi, 7Arte dhe Pogon. Përmbajtja e këtyre diskutimeve është në përgjegjësi të Anibar dhe jodomosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Bashkimit Europian.