State of Exception
29 January 2022 - 10:37

State of Exception

Një përzgjedhje e filmave nga karriera e vonshme e regjisorit serb Zhelimir Zhilnik, “Shteti i Përjashtimit: Retrospektiva e Zhelimir Zhilnikut” përfshin trembëdhjetë filma nga arkivi i veprimtarisë së regjisorit dhe i paraqet ata përgjatë një muaji të tërë në Lumbardh.

Duke filluar më 3 korrik, programi nis me produksionet e Zhilnikut të përgatitura nga periudha e kontradiktave sociale dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, ku socializmi ekzistues u bë i dukshëm përmes përhapjes së trazirave nacionaliste dhe dhunës shtetërore. Rregullat e jashtëzakonshme që atëherë shpërfaqin që “shteti i përjashtimit” në të cilin jetonte, ishte në fakt, vetë përjashtimi. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ku realiteti kulturor dhe politik ishte nën hegjemoninë e “Perëndimit” liberal, krizën e refugjatëve dhe përhapjen e madhe të mureve, kufinjëve dhe dhunës policore u bë manifestimi më i dukshëm i këtij përjashtimi që s’dinte të mbaruar.

Duke u marrë drejtpërdrejt me të persekutuarit që e kishin fat të mbeteshin të padukshëm përgjatë konteksteve të ndryshme historike e politike, Zhilniku i xhiroi këto popullata “të përjashtuara” dhe ekzistencën e tyre prej fantazmash në shoqëri për më shumë se 50 vite. Praktika e tij filmike është dëshmi që për të punuar në kontekst të tillë nevojitet një angazhim politik në situatat bashkëkohore që është i pamundur brenda territorit të kinemasë zyrtare me buxhet të lartë.

Që nga fillimi i karrierës së tij filmike, Zhilnik vazhdimisht i adresoi individët e përjashtuar nga shoqëria dhe të papunësuar gjatë sistemit socialist jugosllav ku, pas ballafaqimit të shpejt me çështjet e censorimit në Jugosllavi, i kaloi vitet e 70-ta në Gjermani. Pas kthimit në Jugosllavi në vitet e 80-ta dhe xhirimeve në vitet e 2000-ta, punoi në temat e dhunës politike, refugjatëve dhe emigrimit në Evropë, duke i pasqyruar ato jetë që u shkatërruan nga kjo gjendje e përhershme e përjashtimit.  

Paralel me filmat e përzgjedhur, Zhilniku do ta organizojë një punëtori dyditore ku do t’i shpjegojë metodat dhe angazhimin e tij me praktikën politike filmike dhe vështirësitë e saj. Gjatë pjesës së dytë do ta shfaqë koleksionin e tij më të fundit filmik të titulluar “Mes njerëzve: Jeta & Aktrimi” i cili përmban kujtime dhe komente nga aktorët joprofesionistë me fragmente nga filmat në të cilët ata kanë marrë pjesë si “protagonistë”, të përziera me pamje të ekipit që punon në vendxhirimet e filmave të Zhilnikut. Pas shfaqjes së filmit, do të mbahet një diskutim në kuadër të punëtorisë. 

Programi i filmave është mundësuar përmes programit Kultura për Ndryshim që financohet dhe menaxhohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institut, si dhe “Hapësirat Kulturore të Kosovës” e zbatuar nga Anibar, Lumbardhi, 7Arte dhe Pogon, të dyja të mbështetura financiarisht nga Bashkimi Evropian. Përmbajtjet e tyre janë përgjegjësi vetëm e palëve organizuese dhe nuk i pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian. Të gjitha shfaqjet e filmave janë falas dhe shfaqen në gjuhën e tyre origjinale me titra në shqip dhe anglisht.