Chris Marker Retrospective
29 January 2022 - 12:25

Chris Marker Retrospective

Empty Bottles From a Far Away Country: Chris Marker Retrospective, apo në Shqip “Shishe të Zbrazëta nga një vend i largët: Retrospektiva e Chris Marker-it”, shënon ditëlindjen e 100-të të regjisorit të madh të filmave i cili e formësoi kinemanë dhe artin e këtij shekulli. Që nga fillimi i veprimtarisë së tij, Chris Marker ishte shumë i ndjeshëm dhe i tërhequr nga vështirësitë politike në botë dhe si këto ndryshime mund të paraqiteshin në formën e filmit. Rezultati i orvatjes së tij jetësore luftëtare dhe artistike e bëri të ballafaqohet me kujtimet e përpjekjeve anti-kolonialiste që ndodhnin shumë larg por edhe shumë afër vendit të tij. Filmat e tij, që përfshihen në këtë retrospektivë, shtrihen gjeografikisht nga Siberia deri në Bosnjë, nga Japonia deri në Kosovë, duke krijuar një plejadë globale e historike të këtyre përpjekjeve. “Kujt i kujtohet e gjithë kjo?”, pyet ai në njërin prej filmave të tij në formë eseu, duke iu referuar vazhdimeve si shishe: “historia i hedh shishet e saj të zbrazëta prej dritares”. Kjo retrospektivë është një përpjekje për t’i mbledhur e bërë bashkë disa prej atyre shisheve, për ta shfaqur botën nga kënde të harruara. Filmat do të shfaqen me titra shqip dhe anglisht.



- CMR-Lettre de Sibérie (1957) 62min     

Retrospektiva e Chris Marker fillon me Lettre de Sibérie (Letra nga Siberia), një ese lirike në formën e korrespondencës, duke përzier elemente të ndryshme stilistike e cila e dokumenton udhëtimin e Markerit për në Siberi dhe e zhvillon për herë të parë stilin e tij karakteristik të narracionit.


- CMR-La Jetée (1962) 28min     

Parisi pas Luftës së III Botërore është në rrënoja. Një shkencëtar i cili e studion kohën shpreson të dërgojë subjekte në periudha të ndryshme kohore dhe e gjen një subjekt të përshtatshëm në një të burgosur i cili e ka një kujtesë të gjallë të fëmijërisë para luftës. I burgosuri udhëton në kohë dhe arrin ta kuptojë incidentin që e kishte parë si fëmijë.


- CMR-Le Joli mai (1962) 145min     

Një dokumentar për Parisin dhe qëndrimet e parizienëve në kulmin e krizës algjeriane gjatë majit të vitit 1962, pranvera e parë e paqes pas armëpushimit me Algjerinë dhe hera e parë në 23 vite që Franca nuk ishte e përfshirë në asnjë luftë.


- CMR-Sans Soleil (1983) 100min    

Dokumentari i jashtëzakonshëm i Chris Markerit për ngritjen dhe rënjen e Krahut të Ri të Majtë në vitet e 1960-ta dhe 1970-ta u publikua fillimisht në vitin 1977, por u përpunua në vitin 1993 pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së Bashkimit Sovjetik.


- CMR-Le fond de l'air est rouge 180min        

Një grua e paarmatosur rrëfen letrat dhe reflektimet filozofike të një udhëtari të padukshëm nëpër botë i shoqëruar me pamje të Ginea Bisaos, Kepit të Gjelbërt, Islandës, Parisit, San Franciskos dhe, më e rëndësishmja, Tokios – një qytet njerëzit, rrugët, qendrat tregtare dhe tempujt e të cilit i frymëzojnë vrojtimet e udhëtarit.


- CMR-Prime Time In The Camps (1993) 28min    

Menjëherë pas luftës në Kosovë, Chris Marker e vizitoi Mitrovicën për ta parë atmosferën e pas-luftës në vend. Sipas tij, pasi e hoqën imazhin e tyre si refugjatë të varfër nëpër rrugë, kosovarët u zhdukën në mënyrë të çuditshme nga bota mediatike dhe Kosova u shndërrua përsëri në diçka abstrakte. Në Mitrovicë, Marker e gjen kryetarin e sapozgjedhur të komunës, Bajram Rexhepi, dhe diskuton për situatën politike të Kosovës me të. Ejani dhe shikoni këtë film të shfaqur rrallë të Chris Markerit nën plepat e kopshtit të Lumbardhit.