TË DIELAT NË KINO
29 January 2022 - 12:18

TË DIELAT NË KINO

‘Të dielat në Kino’ sjell në ekranin e madh disa prej filmave më intrigues e më të famshëm nga historia e kinemasë. Qëllimi i programit është të shfaqen filmat më të shënuar por megjithatë të pavarur nga e mbarë bota. Audienca inkurajohet të mësojë më shumë rreth zhvillimit të kinemasë eksperimentale dhe të pavarur përgjatë shekullit XX. Përmes këmbimit të përvojave dhe pyetjeve e përgjigjeve, programi hap diskutimin rreth pyetjes “çfarë është bashkëkohore në filmat që i takojnë së kaluarës?”


- Alphaville (1965) - Jean-Luc Godard. 

Alphaville është një film francez i zhanrit neo-noir fantastiko-shkencor i Valës së Re i vitit 1965 me regji nga Jean-Luc Godard. Alphaville kombinon zhanrin fantastiko-shkencor distopik me filmin noir. Nuk ka rekuizita të veçanta ose vendxhirime futuristike; përkundrazi, filmi është xhiruar në lokacione të vërteta në Paris, ku rrugët e kryeqytetit gjatë natës shndërrohen në rrugë të Alphaville, përderisa xhami modernist dhe objektet e betonit (që në vitin 1965 ishin dizajne të reja dhe të çuditshme arkitekturore) paraqesin interierin e qytetit. Filmi zhvillohet në të kaluarën por personazhet i referohen edhe ngjarjeve të shekullit XX; për shembull, heroi e përshkruan veten si veteran i Gaudalkanalit.



- Man with a Movie Camera (1929) - Dziga Vertov

Man with a Movie Camera (Njeriu me Kamerë Filmi) është një film dokumentar eksperimental pa zë i xhiruar në Ukrainën sovjetike në vitin 1929, me rexhi nga Dziga Vertov dhe me montazh nga bashkëshortja e tij Yelizaveta Svilova. Filmi i Vertovit me metrazh të gjatë, i prodhuar nga studioja filmike VUFKU, paraqet jetën urbane në qytetet sovjetike të Kievit, Karkivit dhe Odesës. Nga agimi deri në muzg, qytetarët sovietikë shfaqen në punë dhe në lojë, duke ndërvepruar me makinerinë e jetës moderne. 


- Umut (1970) - Yılmaz Güney

Shpresa (Turqisht: Umut) është një dramë turke, me skenar dhe regji nga Yılmaz Güney dhe Şerif Gören, që shfaq Gynein si taksist analfabet me kalë, i cili, pasi e humb njërin prej kuajve të tij në një aksident, niset për në shkretëtirë për ta kërkuar një thesar të humbur mistik. Filmi, i cili nuk ishte lansuar në atë kohë për shkak të ndalimit nga Komisioni për Kontrollë të Filmave në Turqi, fitoi çmime në Festivalin e Dytë të Filmit Golden Ball në Adana, në Festivalin e 7-të të Filmit Golden Orange në Antalia dhe u shfaq në Festivalin e 23-të të Filmit në Kanë. 

 


- Cleo from 5 to 7 (1962) - Agnes Varda 

Për dy orë, një këngëtare e bukur e njohur më së miri me emrin e saj të skenës Cléo Victoire mundohet ta kalojë kohën nëpër qytetin e Parisit përderisa i pret rezultatet e analizave nga mjeku i saj.


- La Haine (1995) - Mathieu Kassovitz     

La Haine (shqiptimi në frëngjishte: [la ën], "urrejtja") është një dramë e pavarur franceze bardhë e zi e vitit 1995, me skenar, bashkë-montazh dhe regji nga Mathieu Kassovitz. Shpeshherë shfaqet me titullin në frëngjisht “La Haine”, edhe pse në Shtetet e Bashkuara është shfaqur me titullin “Hate” (Urrejtja). Filmi flet për tre shokë të rinj dhe përpjekjet e tyre për të jetuar në periferitë e Parisit. Titulli vjen nga një rresht që e thotë njëri prej tyre, Huberti: "La haine attire la haine!"- "Urrejtja ndjell urrejtje”. Kur një arab i ri arrestohet dhe humb vetëdijen nga të rrahurat e policisë, në periferitë famëkeqe të dhunshme jashtë Parisit shpërthejnë trazirat. Tre shokët e viktimës, Vinz (Vincent Cassel), Said (Said Taghmaoui) dhe Hubert (Hubert Koundé), bredhin vërdallë pas dhunës derisa mundohen ta kuptojnë zemërimin e tyre për incidentin brutal. Pasi njëri prej djemve e gjen armën e zbrazët të një polici, duket se nata e tyre përgatitet për të marrë një kthesë të zymtë.